Gastriti

Çfarë është gastriti?

Gastriti është inflamacion (pezmatim) i mukozës së stomakut. Shpesh, termi “gastrit” keqpërdoret për të përfshirë një sërë ankesash lidhur me problemet e pjesës së sipërme të barkut. Në të vërtetë, ai i referohet pezmatimit të mukozës gastrike, e cila mund të përfshijë tërë mukoza ose një pjesë të saj.

Gastriti mund të klasifikohet në akut (i menjëhershëm) ose kronik. Gastriti akut mund të jetë eroziv (me dëmtime) ose joeroziv. Gastriti kronik diagnostikohet nëpërmjet histologjisë (pamjes mikroskopike të mukozës). Shkaqet e gastritit janë të ndryshme, por shpesh rezultojnë në simptoma të ngjashme, çka ka çuar në konfuzion.

Çfarë e shkakton gastritin?

Shkaku kryesor i të dy llojeve të gastritit është infeksioni i mukozës gastrike nga bakterin Helikobakter Pylori. Ky infeksion zakonisht fillon në mënyrë akute në regionin antral të stomakut dhe mund të zhvillohet në gjithë stomakun me kalimin e kohës (gastrit kronik).

Shkaktarë të tjerë përfshijnë:

  • Përdorimi i anti-inflamatorëve josteroidë (NSAIDs) si ibuprofeni dhe naproxeni.
  • Infeksionet bakteriale, virale dhe parazitare.
  • Alkooli.
  • Refluksi biliar.
  • Infeksionet mykotike.
  • Reaksionet alergjike.
  • Stresi.
  • Trauma.


Cilat janë shenjat e gastritit?

Disa pacientë nuk kanë simptoma dhe diagnostikohen vetëm me biopsi. Kur gastriti shkakton probleme, shenjat përfshijnë:

  • Dhimbje abdominale dhe djegie.
  • Nauzea dhe të vjella.
  • Diarre.
  • Humbje oreksi.
  • Gazra.


Të gjitha këto shenja përfshihen në termin “dispepsi”.


Si diagnostikohet gastriti?

Diagnostikimi i gastritit bëhet përmes historisë klinike, simptomave dhe biopsisë për të identifikuar mukozën e inflamuar. Shkaktari më i zakonshëm është Helikobakter Pylori, i cili mund të identifikohet me teste të ndryshme. Ekzaminimi endoskopik dhe biopsia ndihmojnë gjithashtu në identifikimin e gastritit kronik, erozioneve dhe ulçerave.

Mjekimi i gastritit

Trajtimi më efektiv është adresimi i shkaktarëve. Nëse shkaku është Helikobakter Pylori, bëhet trajtimi për çrrënjosjen e tij. Nëse shkaktarët janë anti-inflamatorë josteroidë, ndalimi i tyre është i nevojshëm. Pjesa tjetër e trajtimit përfshin përdorimin e antiacideve që reduktojnë prodhimin e acidit gastrik.

Cilat janë komplikimet e gastritit?

Komplikimet e gastritit mund të ndodhin me kalimin e kohës, veçanërisht nëse nuk trajtohet. Këto përfshijnë:

  • Ulçera peptike.
  • Anemi.
  • Kancer të stomakut.
  • Strikturë të lumenit të stomakut.


Ecuria e gastritit

Disa pacientë mund të shërohen shpejt, veçanërisht ata me shkaktarë të lehtë. Pacientët me gastrit kronik ose me komplikime kërkojnë trajtim të vazhdueshëm.

Si parandalohet gastriti?

Nëse shkaku është i parandalueshëm, gastriti mund të parandalohet. Ndalimi i konsumit të alkoolit dhe përdorimi i kujdesshëm i anti-inflamatorëve janë mënyra të mira për të reduktuar rrezikun. Higjiena e duhur dhe konsumimi i ushqimeve të pastra gjithashtu ndihmojnë në uljen e rrezikut nga infeksionet.

Së bashku për një të ardhme të shëndetshme!

Rezervo konsultën tënde me mjekun specialist tani!

Stafi Your Medical Clinic mundëson për të gjithë pacientët shërbim mjekësor të specializuar në standardet më të larta.