Onkologji & Gjinekologji

Në spitalin tonë, shërbimi i Onkologjisë dhe Gjinekologjisë ofron kujdes të specializuar për diagnostikimin, trajtimin dhe ndjekjen e problematikave gjinekologjike, si dhe vlerësimin dhe menaxhimin e sëmundjeve onkologjike që prekin sistemin riprodhues femëror. Kujdesi ndaj pacientes mbështetet në vlerësimin individual, diagnostikimin e kujdesshëm dhe përcaktimin e një plani të përshtatur sipas gjendjes klinike.

Konsulta dhe Ekzaminimi Gjinekologjik: Vlerësimi fillon me historinë mjekësore, simptomat dhe ekzaminimin klinik. Sipas rastit, mjeku mund të rekomandojë ekzaminime laboratorike ose imazherike për një vlerësim më të plotë.

Kontrollet Parandaluese dhe Depistimi: Kontrollet periodike ndihmojnë në identifikimin e hershëm të ndryshimeve gjinekologjike dhe përfshijnë:

  • Pap Test: Ekzaminim depistues për identifikimin e ndryshimeve qelizore të qafës së mitrës.
  • Testimi për HPV: Identifikimi i tipeve të HPV-së që lidhen me një rrezik të shtuar për zhvillimin e lezioneve të qafës së mitrës.
  • Ekografia Gjinekologjike: Vlerësimi i mitrës, vezoreve dhe strukturave të tjera të legenit.

Diagnostikimi dhe Trajtimi i Patologjive Gjinekologjike: Vlerësimi dhe menaxhimi i problematikave si çrregullimet e ciklit menstrual, kistet ovariane, miomat uterine, polipet, endometrioza dhe infeksionet gjinekologjike.

Gjinekologjia Onkologjike: Vlerësimi dhe ndjekja e pacienteve me ndryshime të dyshimta, lezione prekanceroze ose patologji malinje të aparatit riprodhues femëror, duke përfshirë patologjitë e:

  • Qafës së mitrës
  • Mitrës dhe endometrit
  • Vezoreve
  • Vulvës dhe vaginës

Vlerësimi Onkologjik: Në rastet me diagnozë të konfirmuar ose dyshim për patologji tumorale, kryhet vlerësimi i dokumentacionit mjekësor, ekzaminimeve dhe rezultateve histopatologjike, me qëllim përcaktimin e hapave të mëtejshëm diagnostikues ose terapeutikë.

Ndjekja pas Trajtimit: Pacientet me histori të patologjive onkologjike gjinekologjike ndiqen në mënyrë periodike, sipas diagnozës dhe planit të përcaktuar nga mjeku specialist.

Qasja Multidisiplinare: Kur rasti e kërkon, kujdesi koordinohet me specialistë të fushave të tjera për të siguruar një vlerësim sa më të plotë dhe një plan trajtimi të përshtatur për pacienten.